Historia e dyqanit të tregtarit Elbasanas Mustafa Shiku

Sonte, në një mbrëmje të ftohtë në Londer, shikoj tek Arkivi Digjital i Elbasanit një foto që gjithmonë ngjall emocione të forta tek une. Është fotoja e dyqanit të stërgjyshit tim, Mustafa Shiku, ndryshe i njohur si Muç Shiku. E kam parë shpesh, por pak kam ditur deri tani rreth asaj godine të bukur dykateshë dhe rreth stërgjyshit tim, prandaj vendos të zbuloj pak më shumë rreth kësaj tabloje kaq familjare për shumë prej nesh.

Pikture e Pazarit te Bezistanit ne Elbasan ku duket dyqani dykatesh i Mustafa Shikut.  

Disa gjëra thone se i ke në gen. Kështu besoj se unë kam ‘shpirtin e tregtarit’, sepse jam pasardhëse e një ndër tregtarëve më të njohur të Elbasanit. Ndoshta jo rastësisht, familja Shiku vazhdon të jetë familje me emër tregtaresh në Elbasan. Ndërsa flas me të vjetrit e familjes sime, mësoj më shumë për njeriun që e njohin si tregtar, por që ka qenë dhe tej mase arsim-dashes, i apasionuar pas diturisë dhe gjërave të bukura, dhe tejet i respektuar në rrethin e njerëzve me influence të kohës.


Muç Shiku ishte një lexues i palodhur dhe kishte një bibioletekë me nam në Elbasan. Dinte disa gjuhë të huaja, Turqishten e vjetër, Arabisht, Persisht dhe Italisht. Ndërsa te dije Turqisht në ato vite ishte si të dish gjuhën Angleze sot, nuk e dijmë nga ku Muc Shiku kishte mësuar gjuhën Perse. Pjesë e bibliotekës së cmuar që kemi trasheguar deri më sot përmban dhe libra në ketë gjuhë. Gjithashtu, një i vjeter i familjes më thotë qe kur ishte fëmijë, Muci i ka thënë disa herë qe t’ia mësoje Persishten.


Ndërsa dëgjoj më shumë rreth jetës së tij, futem në një botë tjetër, në periudhen kur Elbasani ishte një qender e rëndësishme ekonomike. Tregu i Bezistanit gëlon nga njerëzit; cirakët sistemojne mallin e porsaardhur nga zejet, tregtarët numurojnë frangat e arit dhe përcjellin klientët me një buzëqeshje fisnike. Eshte Elbasani i viteve 1930-40.


Imagjinoj stërgjyshin tim, bashkë me nje shok, të ndaloje pak tek porta e kalasë para Bezistanit, ku femijët jane duke pirë ujë. S’kishte shumë që ishte kthyer nga udhëtimi tejet i gjatë për të marrë furnizim ne Leipzig të Gjermanisë, ku kishte qenë bashkë me përkthyesin e tij Hungarez, i cili dinte dhe Turqisht. Herë të tjera mallrat i porosiste nga Italia dhe i merrte në portin e Durrësit. Meqë kishte shumë ndodhi të rrugëtimit për t’i treguar shokut, e fton të shkojnë bashke tek dyqani i vogel, që gjendët perballë kalasë, mu aty ku tani janë lodrat e fëmijëve. Me shokun per qejf flet herë Turqisht, e herë Persishten e vjetër teksa i tregon ndodhitë e udhëtimit nëpër Europë.


Dyqani tjeter, ai dykatësh para rrapit të Bezistanit gjendet vetëm pak metra më tej. Por Muc Shiku pëlqen më shumë të rrije tek dyqani i vogël. Këtu shiten bojra, për cdo gjë, kryesisht për të lyer leshin me të cilin bëhen rrobat nëpër zeje. Boja më e mirë dhe për të cilën vijne nga cdo cep, është boja me xixa. Ky dyqani i vogël në fakt, bën më shumë punë se dyqani i madh dykatësh para Rrapit të Bezistanit. Ndoshta sepse Muci rri vetë aty, dhe është një tregtar i shkëlqyer.


Pasi përcjell mikun, Muci mendon të kalojë një herë nga dyqani i madh, ku zakonisht lë cirakun e tij, Sul Qorrin, i cili duke ndenjur aty nisi të njihej si Sul Shiku. Këtë dyqan e ka blerë në vitin 1924. Tek tabela sipër derës, thuhet se shkruhej ‘Vogelsinar’ dhe fasada e jashtme është e zbukuruar me shumë shije. Dyqani është i arreduar me drru dhe i projektuar nga një arkitekt Italian, prandaj duket krejt ndryshe nga dyqanet e tjera të Bezistanit. Teksa futesh brenda, menjëherë ve re se sa i larte është tavani i katit të parë, dhe syte të shkojnë tek gjërat e ekspozuara ne ballkonin e brendshem që arkitekti ka krijuar brenda dyqanit. Aty gjenden të vena bukur veglat muzikore dhe sendet e kabashme, ndërsa në katin e parë gjenden bicikletat, artikujt e kancelarisë, parfumeria dhe vogëlsina të tjera. Kati i dytë është i projektuar për shtëpi, por Muci e mban si magazinë për mallrat që i shet me shumicë, me të cilat furnizohen dyqanet në Elbasan dhe në vende të ndryshme të Shqipërisë, por dhe në Kosovë e Maqedoni.


Ngadalë zbret shkallët për në bodrum, kur sytë i shkojnë tek disa monedha ari në dysheme. Shpesh këto monedha binin dhe rrokullisesin duke u futur nëpër të carat e dërrasave. Thuhet se ky është i vetmi dyqan në Elbasan me bodrum. Muci kujtohet sesi gjatë gërmimeve me arkitektin Italian per ndërtimin e dyqanit, ato gjejnë një mozaik, dhe disa relike të lashta, një shpatë, një përkrenare. Bashkë me arkitektin mbajtën shënime rreth vendndodhjes, shënime të cilat dhjetra vite më vonë u deshen per të zbuluar mozaikun që sot gjendet pranë Rrapit të Bezistanit.


Mësoj se të dy dyqanet kryenin qarkullim goxha të madh mallrash, gjë që pasqyrohej, sipas të dhënave të familjarëve, Xhaferrit, Ndricimit, nuses Nazmije etj, në sasitë e mëdha të arit që silleshin në shtëpi me arka. Këto monedha mbaheshin në enë qelqi me kapak, të quajtura “ball”. Si shumë tregtarë të tjerë, pas clirimit Muc Shiku u detyrua të paguante si tatim të jashtëzakonshëm një shumë prej dy million franga ari. Si pak të tjerë, ai ishte në gjendje t’a paguante këtë gjobë, dhe e pagoi të plotë, për t’i shpëtuar fatit akoma më të tmerrshem që do t’a priste nën regjimin komunist në të kundërt. Më tej regjimi komunist ia mori dyqanin nën kuadrin e mohimit të pronës private. U nda nga jeta në Shkurt të vitit 1967…


Pikturën e Rrapit të Bezistanit me dyqanin në sfond, e kemi të varur në mur në shumë shtëpi të familjes Shiku. Prandaj kur e shikoj, më kujtohen plot gjëra, familja, shtëpia, dhe qyteti im, Elbasani. Besoj se shumë prej Elbasanllinjve të tjerë e kanë pikërisht po këtë tablo të bukur të Bezistanit në shtëpitë e tyre. Shpresoj që të kem hedhur pak dritë rreth historisë së asaj godine te bukur dhe njerëve që i dhanë asaj jetë.


0 comments:

Post a Comment

 

Blogger news

No news this time

About the blog

How can we be humble, when we really think this is the most Albanian clever blog you have ever came across. SHIKUS is a blog that features political ideas and debates on economic and social liberties. Occasionally you will find book reviews, essays, short writings and other fun stuff.

About me

I have been reading economics since 2012. I love all things beautiful. I also love history, Albanian traditions, and perfumes.

Elbasan-Tirana-Cardiff-London